Inxhinierja Bozo: Përveç shtetit, të prekurit të kontribuojnë financiarisht

Inxhinierja e njohur Luljeta Bozo thotë se edhe banorët të cilët kanë pësuar dëme në shtëpitë e tyre duhet të japin kontribut financiar për rindërtimin, përveç mbështetjes nga shteti.

Bozo foli në mbledhjen e dytë të Komitetit të Rindërtimit, dhe shprehu shqetësimin se shumë ndërtesa në zonat e goditura janë bërë pa inxhinierë dhe teknikë.

“Kush duhet të japë kontribut, individi apo vetëm shteti? Unë them që duhet të japë edhe individi kontributin e tij, megjithëse s’ka faj i shkreti. E ka bërë shtëpinë pa themel, mirë pa inxhinier, por pa teknik? Duhet të mbajnë përgjegjësinë financiare dhe ata që kanë bërë me kokën e vetë.

Në qytet është i mbyllur problemi pothuajse. Në qytet do të ketë një problem tjetër pastaj pak më vonë. Të mblidhet i gjithë fshati, të klasifikohen këto dhe t’i thonë ky është projekti, kaq do paguajë shteti, kaq individi. Do bëhet me transparencë, ata bashkë jetojnë e shikojnë se si bëhet aty nuk ka kush ja hedh tjetrit”, u shpreh Bozo.

Inxhinierja Bozo tha se në qytete ekziston problemi i ndërhyrjeve në infrastrukturën e pallatit. Këta persona duhet të përgjigjen, tha Bozo.

“Në qytet ka aq shumë ndërhyrje sa që unë nuk jam e sigurtë çfarë bëhet më vonë. Kanë ndërhyrë banorët kanë hequr kolona, muret. Këto janë ndërhyrje që i kanë bërë banorët, se çfarë do të bëjë hetuesia është punë tjetër. Por këta banorë duhet të përgjigjen, se si qenka kjo punë kështu”, u shpreh inxhinierja Bozo.