fbpx

Irani akuza SHBA-së pas vendosjes së sanksioneve: Veprim jonjerëzor, 150 miliardë dollarë dëme

Presidenti iranian, Hassan Rohani, gjatë një fjalimi televiziv u tha iranianëve që ta drejtojnë zemërimin e tyre kah Uashingtonit zyrtar, sa i përket ndikimit që do të kenë sanksionet amerikane.

Rohani ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për “egërsi” lidhur me vendosjen e sanksioneve, përfshirë edhe për sanksionet e reja që u vendosën gjatë kësaj jave.

“Me sanksionet e tyre joligjore dhe jonjerëzore dhe me veprimet terroriste, amerikanët kanë shkaktuar 150 miliardë dollarë dëme për popullin e Iranit”, tha Rohani.

Rohani tha se sanksionet do të pamundësojnë blerjen e barnave dhe ushqimit. Furnizime të tilla nuk përfshihen në sanksionet amerikane, por shumë kompani kanë frikë që të thyejnë rregullat dhe shmangin transaksionet me Teheranin zyrtar.

“Ne nuk kemi parë shkallë të tillë të egërsisë”, tha Rohani.

“Adresa e saktë për të gjitha këto krime dhe presionit ndaj popullit iranian është në Uashington D.C, në Shtëpinë e Bardhë”, tha ai.

Më 21 shtator, SHBA-ja prezantoi sanksionet e reja ndaj Iranit, ku do të sanksionohen personat dhe entitetet që janë të përfshirë në aktivitetin bërthamor të Iranit ose në programin e raketave konvencionale të Teheranit.