fbpx

Irani dhe Rusia hedhin poshtë akuzat e SHBA-së për ndërhyrje në zgjedhje

Rusia dhe Irani kanë hedhur poshtë pretendimet e Shteteve të Bashkuara se këto dy vende po ndërhyjnë në zgjedhjet presidenciale amerikane, që mbahen më 3 nëntor.

Irani tha sot se ka thirrur të dërguarin zviceran në Teheran – i cili përfaqëson interesat e SHBA-së në Republikën Islamike, pasi Uashingtoni dhe Teherani nuk kanë marrëdhënie diplomatike – për të protestuar ndaj atyre që i quajti si “akuza të pabaza” të SHBA-së.

Ngjashëm edhe Kremlini ka thënë se akuzat janë “absolutisht të pabaza”.

Komentet vijnë njjë ditë pasi zyrtarët për siguri kombëtare të SHBA-së thanë se Irani dhe Rusia kanë siguruar informacione të votuesve amerikanë dhe po tentojnë të ndikojnë te publiku amerikan para zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Ky njoftim në një konferencë të pazakonshme për media, më pak se dy javë para zgjedhjeve, ka vënë në pah shqetësimet që ekzistojnë brenda Qeverisë amerikane për përpjekjet e shteteve të huaja që të përhapin informacione të rreme, me qëllim të dëmtojnë besimin e amerikanëve në procesin zgjedhor.

“Ne kemi konfirmuar se një pjesë e informacionit të votuesve të regjistruar është siguruar nga Irani dhe ndaras nga Rusia”, ka thënë Drejtori për Inteligjencë Kombëtare në SHBA, John Ratcliffe.

Ratcliffe dhe shefi i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Chris Wray, kanë thënë në një konferencë për media se Shtetet e Bashkuara do të vendosin kosto për secilin shtet të huaj që ndërhyn në zgjedhjet amerikane.