Irani i përgjigjet SHBA/ Nis pasurimin e uraniumit

Irani njoftoi se ka nisur transferimin e gazit uranium në centrifugat e tij në centralin bërthamor Fordov. Agjencia për Energji Bërthamore e Iranit tha përmes një deklarate se “prodhimi dhe mbledhja e uraniumit të pasuruar në Fordov kanë nisur”.

Uraniumi i pasuruar mund të përdoret për të prodhuar lëndë djegëse për reaktorë, por edhe për armë bërthamore.

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, shkroi në Twitter se falë politikës së SHBA-së dhe aleatëve të saj, Fordov do të jetë së shpejti në funksion të plotë, ndërsa ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, tha se vendi i tij po i përgjigjet terrorit ekonomik dhe shantazhit amerikan.

Me këtë hap, Irani hoqi dorë edhe nga një pjesë tjetër e marrëveshjes bërthamore, të nënshkruar në vitin 2015 me fuqitë botërore.

Irani, ka nisur të tërhiqet nga angazhimet e parashikuara në këtë marrëveshje që kur Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga ky pakt, më shumë se një vit më parë.