Irani këshillon presidentin Trump të provojë respektin në vend të kërcënimeve

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, i ka bërë  thirrje presidentit amerikan Donald Trump të mos kërcënojë Iranin

Me tensionet në rritje mes dy vendeve, presidenti amerikan shkruajti në Twitter ditën e djeshme: “Nëse Irani do të luftojë, ky do të ishte fundi zyrtar i Iranit. Kurrë më mos i kërcënoni Shtetet e Bashkuara!”

Ministri i Jahtëm i Iranit deklaroi ditën e sotme se presidenti amerikan Donald Trump  duhet”të provojë respektin” në vend që të bëjë kërcënime.

Zarif tha se Presidenti Trump, nën presionin e një grupi që përfshin Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, John Bolton dhe kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu po shpreson të realizojë “atë që kanë dështuar ta bëjnë agresorë të tjerë”.

“Iranianët kanë qëndruar krenarë për mijëra vjet, ndërsa agresorët kanë ikur. Terrorizmi ekonomik dhe frikësimet me genocide nuk do ta zhdukin Iranin”, shkruan Zarif.

Javën e kaluar, presidenti Trump u duk se bëri një hap pas nga qëndrimi i ashpër ndaj Iranit, duke thënë se do të ishte i hapur ndaj bisedimeve.

I pyetur nga një gazetar në Shtëpinë e Bardhë të enjten nëse Shtetet e Bashkuara do të hynin në luftë me Iranin, Trump u përgjigj “Shpresoj që jo”.

Por nuk ka pasur ndonjë rënie të dukshme të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre rajonalë nga njëra anë dhe Iranit nga ana tjetër.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur anije luftarake shtesë dhe aeroplanë pranë Iranit në ditët e fundit./real-news.tv/