Irani kundër sanksioneve të SHBA

Shtetet e Bashkuara kanë rikthyer nga dita e sotme në fuqi sanksionet mbi Iranin, për të cilat thonë se janë më të ashprat në histori, një vendim i cili ka ngjallur reagim të ashpër nga Irani.

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, është zotuar të “thyejë” sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara që synojnë pjesët kryesore të ekonomisë.

Administrata Trump po rivendos të gjitha sanksionet të cilat u hoqën nën marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, në një përpjekje për të ushtruar presion ndaj Iranit.

Sanksionet  do të godasin eksportet e naftës, anijet dhe bankat, dhe do ta bëjnë të vështirë për të bërë biznes me kombin e pasur me naftë.

Por presidenti iranian ka shprehur vendosmërinë se Irani do të vazhdojë shitjen e naftës.

“Do t’i thyejmë sanksionet me krenari”-ka thënë presidenti i Iranit në një mbledhje me zyrtarët e shtetit.

Ndërkohë, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton tha se do të ketë sanksione shtesë të Shteteve të Bashkuara mbi Iranin, por nuk dha detaje të tjera.

“Ne do të kemi sanksione të tjera. Nuk do të jemi të kënaqur vetëm me nivelin e sanksioneve që ekzistonin në vitin 2015, “tha Bolton në një intervistë për Fox Business Network.

Gjithashtu, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo ka paralajmëruar se SHBA do të ushtrojnë presion “të pamëshirshëm” ndaj Iranit nëse nuk ndryshon “kursin e tij revolucionar”.

Ndërkohë, mijëra iranianë dolën në protestë ditën e djeshme për të kundërshtuar sanksionet e SHBA-së.

Lër një koment