Irina Shayk rrëfehet pse nuk flet kurrë për lidhjen me Bradley Cooper

Supermodelja Irina Shayk është treguar gjithmonë diskrete për lidhjen e saj me një nga burrat më të përfolur të Hollywood, Bradley Cooper.

Por në intervistën e fundit ajo ka vendosur të tregojë pse e bën një gjë të tillë.

“Unë kam shumë miq që ndajnë shumë gjëra nga jeta e tyre private në Instagram dhe rrjete të tjera sociale, ekspozohen shumë. Unë e admiroj një gjë të tillë dhe mendoj se është diçka e mrekullueshme, por mendoj se ta bësh një gjë të tillë ose jo është një zgjedhje personale”, ka thënë ajo për revistën Glamour në Britani.

“Puna ime kërkon që unë të jem vazhdimisht në qendër të vëmendjes prandaj kam vendosur që të paktën jetën time private ta mbaj larg vëmendjes së publikut dhe mediave. Kjo është edhe arsyeja pse quhet jetë private, sepse është diçka që të përket ty dhe familjes tënde. Unë ndihem shumë e lumtur me këtë gjë”, ka vazhduar tutje ajo në këtë intervistë.

Ajo në këtë intervistë ka folur edhe për vajzën e saj Lea De Seine Shayk Cooper e cila ka lindur në muajin mars të vitit 2017.

Shayk ka treguar pak nga jeta e saj si nënë dhe çfarë nënkupton ajo për stilin e saj.

“Në botën moderne, në shekullin e 21-të, unë besoj se ta kesh një foshnje nuk do të thotë që duhet ta veshësh një fustan më të gjatë. Madje një mike më kishte thënë ‘oh, ti sapo postove një fotografi sexy , ti je nënë tani’”.“Unë mendoj se ka të bëjë me atë që je dhe atë që dëshiron të jesh, nuk mendoj se duhet të ndryshojë një gjë e tillë kur të bëhesh nënë. Unë jam ajo që kam qenë gjithmonë”-përfundon modelja Shayk./real-news.tv/