Ish-ambasadori Walker: Gjenocidi i Reçakut ka ndodhur, deklarata e Vuçiç njësoj si e Millosheviç

Ish-ambasadori i Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSBE), William Walker, i cili po qëndron në Kosovë për 21-vjetorin e masakrës së Reçakut, ka deklaruar se gjenocidi ndaj popullit të fshatit Reçak nuk mund të mohohet nga askush.

Në një konferencë të organizuar nga Republikanët e Kosovës (REK) me titull “Reçaku nuk është gënjeshtër”, Walker tha se “nuk jam këtu për të dëshmuar se Reçaku s’është gënjeshtër, ngase gjithë bota e di se aty janë vrarë 45 njerëz nga forcat serbe”.

Walker duke folur për deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, i cili e quajti trillim të Walker-it Masakrën e Reçakut, tha se një deklarim i tillë i duket sikur po dëgjon ish-presidentin serb, Sllobodan Milosheviç.

“Kur njerëzit më pyesin se cili është reagimi im ndaj deklaratës së presidentit Vuçiç, i cili më quajti gënjeshtar duke thënë se Reçaku nuk ka ndodhur, reagimi im është se ‘jam duke i dëgjuar fjalët e Sllobodan Millosheviçit, edhe një herë’. Reçaku ka ndodhur, bota ka dëgjuar për të, ajo reagoi dhe tani kemi një shtet të ri të quajtur Republika e Kosovës”, tha Walker.