fbpx

Ish-deputeti dhuron dy pajisje respiratore, reagon mjekja: Jemi të prekur nga ky veprim

Mjekja e spitalit “Shefqet Ndroqi”, Alma Cani ka bërë me dije ditën e sotme se ish-deputeti Agron Shehaj ka dhuruar dy pajisje respiratore dhe një pajisje dialize për të prekurit me COVID-19.

Cani thotë se është e prekur nga ky veprim që nuk e ka bërë askush tjetër

Postim i plotë i Alma Canit:

Në emër të personelit mjekësor të Spitalit Shefqet Ndroqi dhe drejtorit Prof Dr Perlat Kapisyzi, dua të falënderoj me mirënjohje të thellë Agron Shehajn për dhurimin e dy pajisjeve respiratore dhe një pajisje dialize, aparate të reja, fjala më e fundit e teknologjisë. Covid-19 është një përbindësh që ka ndaluar frymëmarrjen e botës mbarë. Dhurimi i këtyre dy respiratorëve dhe aparatit të dializës janë një mundësi shumë e mirë që na ofrohet, për trajtimin efikas e bashkëkohor të këtyre pacientëve. Ne jemi të ndërgjegjshëm që nuk mund të kënaqim të gjitha shpresat njerëzore, por suporte të tilla janë mëse të domosdoshme, pasi komplikacionet që vijnë nga koronavirusi prekin jo vetëm mushkërinë, por edhe organe të tjera vitale si veshka, etj. Është një veprim human që do të na ndihmojë të shpëtojmë jetë dhe që sot një i sëmurë rëndë po përfiton nga një prej respiratorëve. Jemi të prekur nga ky veprim që nuk e ka bërë askush tjetër dhe, mbi të gjitha, nga thjeshtësia dhe përunjësia me të cilën Agroni na ndihmoi! Uroj qe ky akt sublim e human të jetë një shembull i qytetarisë e fisnikërisë që z Shehaj i bën spitalit tonë, të pasohet nga shumë të tjerë, duke dëshmuar që ne të gjithë së bashku jemi pjesë e një skalioni të luftës kundër kësaj të keqeje që ka përfshirë botën mbarë! I urojmë Agronit dhe familjes së tij gjithë të mirat. Ju urojmë të gjithë të sëmurëve shërim të shpejtë. Ne jemi çdo çast me ju, të përkushtuar deri në vetëmohim, për të shëruar dhe mbrojtur jetën e çdo njeriu.