Ish-këshilltari i arrestuar i Trump: Nuk do të dëshmoj kurrë kundër Trump

Ish-këshilltari i presidentit të SHBA-ve, Roger Stone, i arrestuar të premten për veprimtari kriminale bazuar në hetimet që po i zhvillon Këshilltari i Posaçëm, Robert Mueller, tha se ai nuk do të dëshmoj kurrë kundër presidentit amerikan dhe se është plotësisht i pafajshëm.

Ndërsa ishte duke dalë nga një Gjykatë në Florida, Stone i quajti akuzat si të pabazuara në fakte dhe të motivuara politikisht.

Stone, një bashkëpuntor dhe këshilltar i fushatës së Presidentit amerikan Trump, përballet me një akuzë për pengimin e një procedimi zyrtar, pesë akuza për deklarata të rreme dhe një akuzë për manipulimin e dëshmitarëve.

Megjithatë, ai nuk akuzohet për bashkërendim me zyrtarë rus, të cilët pretendohet se kanë ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA. Këto pretendime janë çështja kyçe me të cilën po merret Këshilltari i Posaçëm Robert Mueller.

Presidenti amerikan Donald Trump e konsideron hetimin “Një gjueti shtrigash” e asgjë më shumë; Kremlini po ashtu mohon çdo përfshirje në votimet amerikane. Por ekipi i Muellerit ka ngritur deri tani një serë akuzash kundër mbi 20 rusë si dhe disa personave të lidhur me vetë presidentin trump, përfshirë ish shefin e tij të sigurisë kombëtare, Michael Flynn, dhe ish kreun e fushatës se tij elektorale, Paul Manafort./real-news.tv/