I pakategorizuar

Ish-Kryebashkiaku në kërkim, ja sa vite burg rrezikon Kajmaku

Policia është vënë sot në kërkim të ish-kreut të Bashkisë së Vorës, Agim Kajmakun, pasi prokuroria ka prerë fletë arresti duke e akuzuar për tre vepra penale. Në bazë të dokumentit që ka dalë sot nga Prokuroria bëhet me dije se Kajmaku rezulton në kërkim për 3 vepra penale.

Sipas dokumentit bëhet me dije se veprat për të cilat akzuzohet ish-numri 1 i Vorës, janë:  “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve” dhe “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij”. Në bazë të Kodit Penal, këto vepra janë të rënda dhe dënimi shkon deri në 15 vite burgim.

Dënimi në bazë të Kodit Penal

Neni 248

Shpërdorimi i detyrës (Ndryshuar me ligjin nr.9275, datë 16.9.2004, neni 21; ndryshuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 21; pjesa që parashikon edhe dënimin me gjobë, si dënim kryesor, krahas dënimit me burgim, shfuqizohet me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 48)

Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.

Neni 190

Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve

Falsifikimi apo përdorimi i vulave, stampave dhe formularëve të falsifikuar, apo paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet. Kur falsifikimi bëhet nga personi që ka për detyrë përpilimin e tyre, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet.

Neni 249

Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij

Vazhdimi i ushtrimit të funksionit shtetëror apo të shërbimit publik nga ana e personit që është vënë në dijeni të vendimit apo rrethanës që u ka dhënë fund ushtrimit të tyre, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.