Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, reagon pas deklaratës së fortë të PPE se Reforma Zgjedhore duhet të miratohet urgjent pa ndryshime të njëanshme nga qeveria, duke e cilësuar këtë një nga qëndrimet më të qarta dhe me të forta mbajtur ndonjëherë mbi procesin e integrimit të Shqipërisë.
“PPE ka paraqitur sot një nga qëndrimet më të qarta dhe me të forta mbajtur ndonjëherë mbi procesin e integrimit të Shqipërisë, kushtet për çeljen e negociatave, por edhe për kriterin kryesor atë të dialogut politik dhe konsensusit për reformat kyçe.
Miratimi i reformës zgjedhore, implementimi i saj nëpërmjet zgjedhjeve Parlamentare dhe lokale, hetimi i dosjeve 339 dhe 184 si dhe liria e mediave përbëjnë thelbin e rikthimit në një Shqipëri normale dhe me standarde demokratike.
Uroj që gjithçka e shprehur sot nga PPE të përkthehet në një udhërrëfyes për të prodhuar rezultate konkrete. Shqipëria ka vetëm një alternativë, perspektivën evropiane”, shkruan Gjosha.