Ish-ministrja thirrje të fortë BE: Jepni dritën jeshile…

Klajda Gjosha, ish-ministre e Integrimit dhe ish-deputete e LSI-së, u shpreh sot se procesi i integrimit është një proces meritash dhe i takon qeverisë shqiptare të kryejë me përgjegjshmëri detyrat e shtëpisë dhe të mundohet të gjejë zgjidhje të krizave politike dhe institucionale që po kalon vendi.

Ajo theksoi se Shqipëria ka që në nëntor të vitit 2016 që ka marrë rekomandimin pozitiv për fillimin e bisedimeve për anëtarësim falë votimit me 140 vota në Kuvendin e Shqipërisë të Reformës në Drejtësi.

Por sipas saj, sot edhe pas tre vitesh, qytetarët shqiptarë, vazhdojnë të presin konkretizimin e një procesi që do duhej të kishte filluar prej kohësh.

“Loja me negociatat në vitin 2018, ku qytetarëve shqiptarë ju servir një fitore imagjinare duket qartë që e rëndojnë edhe sot pozitën e Shqipërisë për vendimmarrjen e tetorit.

Procesi i integrimit është një proces meritash dhe i takon qeverisë shqiptare të kryejë me përgjegjshmëri detyrat e shtëpisë dhe të mundohet të gjejë zgjidhje të krizave politike dhe institucionale që po kalon vendi.

Asnjë alibi apo situatë e krijuar për të shpërqendruar vëmendjen e qytetarëve dhe të mediave, nuk zhbën dot faktin se Shqipëria është një vend me probleme të mëdha të njohjes dhe respektit ndaj parimeve demokratike, të mungesës së thellë të maturisë politike, mungesës së pjekurisë për vetëzgjidhur krizat, për të respektuar institucionet dhe mungesës së vullnetit për të realizuar zgjedhje me standarde nëpërmjet një sistemi të drejtë që i jep mundësinë qytetarëve të zgjedhin”, tha ajo.

Ajo i drejtoi një thirrje instancave më të larta të BE ta shikojnë vendimmarrjen për Shqipërinë si një vendim për t”i dhënë shansin Shqipërisë dhe shqiptarëve të bëhen pjesë e një procesi që është vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë dhe të domosdoshëm për të pasur një shtet të drejtë që lufton krimin, korrupsionin dhe padrejtësitë.

“I bëj thirrje të japin sinjalin jeshil që shqiptarëve t”i rikthehet shpresa për të jetuar në vendin e tyre me më shumë mundësi investimi dhe punësimi. Kapitujt janë e vetmja mënyrë për të kontrolluar politikën shqiptare që të mos marrë vendime në kurriz të qytetarëve.

Kapitujt janë i vetmi mekanizëm për të ndryshuar mentalitetin dhe kulturën qeverisëse që e mundon Shqipërinë në këto 30 vite tranzicion”, tha Gjosha.