Në raportin e publikuar sot, ISP bën me dije se janë 27 deputetë të parlamentit që nuk kanë folur në asnjë seancë plenare.
” Në bilancin e debateve parlamentare tërheq vëmendjen edhe lista e deputetëve që nuk kanë diskutuar asnjëherë gjatë periudhës monitoruese. Disa prej tyre ndodhen pothuajse gjithnjë në këtë listë dhe janë kryesisht deputetë që politikën e kanë angazhim të dytë, krahas biznesit privat apo angazhimeve të tjera prioritare, disa janë figura të njohura politike e publike që në kontrast me angazhimin në seanca, janë mjaft aktiv në mbledhjet në komisionet parlamentare ose në strukturat e tjera të Kuvendit. Në listën e deputetëve me “0” diskutime bëjnë pjesë kryesisht deputetë të ardhur më 2019 në parlament, por edhe deputetë të njohur si Ulqini, Peleshi, Kodheli, Zeneli, etj, të cilët janë aktiv në jetën politike dhe në drejtimin e komisioneve parlamentare. Në listë nuk mund të mos mungojnë disa prej deputetëve të njohur më shumë si biznesmenë sesa si deputetë, dhe që janë aty prej shumë mandatesh parlamentare, pavarësisht bilancit negativ në përfaqësimin dhe pjesëmarrjen në aktivitetin parlamentar.


