fbpx

Ja çfarë po ndodh me numërimin në Maqedoninë e Veriut

Sot Maqedonia e Veriut përmbylli raundin e dytë të zgjedhjeve të pesta presidenciale në historinë e saj që prej se u pavarësua nga Federata Jugosllave.

Në garë aktualisht janë kandidatët Gordana Siljanovska-Davkova nga partia opozitare VRMO-DPMNE dhe Stevo Pendarovski nga partia në pushtet LSDM e kryeministrit aktual Zoran Zaev.

Në raundin e parë mori pjesë edhe kandidati shqiptar, akademiku Blerim Reka, i cili mori vetëm 79.921 apo 10.58% të votave.

Zgjedhjet e sotme janë vëzhguar nga 3300 përfaqësues vendas dhe 520 vëzhgues të organizatave të huaja, përfshirë edhe ODIHR-in.

Gordana Siljanovska Davkova është kandidate e VMRO-DPMNE-së së opozitës maqedonase dhe njihet si një nacionaliste maqedonase. Në fushatën e saj dhe në diskursin e saj politik, ajo nuk pranon që Maqedonia të njihet me emrin e saj të ri të dalë nga Marrëeshja e Prespës si Maqedonia e Veriut, si dhe kundërshton çështjen e dygjuhësisë në Republikën e Maqedonisë.

Nga ana tjetër Stevo Pendarovski i mbështetur nga Lidhja Social-Demokrate (LSDM) dhe partitë në pushtet, përfshirë edhe partinë shqiptare Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) e Ali Ahmetit dhe dhjetra parti të tjera të koalicionit qeverisës, ka deklaruar se do të marrë vota edhe nga votuesit të cilët në raundin e parë  votuan kandidatin shqiptar, akademikun Blerim Reka.

Sipas rregullores, në raundin e dytë të zgjedhjevbe presidenciale, pra në balotazh, duhet të dalin mbi dyzet përqind e votuesve, përndryshe zgjedhjet do të quhen të pavlefshme.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve Oliver Derkovski, theksoi se procesi zgjedhor i raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale ka qenë i rregullt dhe nuk ka patur incidente.

Sipas faqes zyrtare në internet të Komisioni Shtetëror Zgjedhor në Maqedoninë e Veriut, ka nxjerrë edhe rezultatet e para nga kutitë e hapura në nivel kombëtar.

Nga kutitë e para të hapura në nivel kombëtar, shihet qartë epërsia e kandidatit të mazhorancës, Stevo Pendarovski.

Nga kutitë e numëruara deri më tani, rreth 48%për qind të tyre, kryeson kandidati i mazhorancës, Stevo Pendarovski me 55,51 për qind ose e përkthyer në vota 181.028 vota, kundrejt kandidates së opozitës Gordana Siljanovska me 41,05 për qind ose e përkthyer në vota  në 133.878 vota.

Nga 48,13% përqind e votave të numëruara nga të dhënat zyrtare të KSHZ janë më së vijon:

Stevo Pendarovski – 218.748

Gordana Siljanovska – 167.390

Të pavleshme – 13.879

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ka pasur më parë për president Kiro Gligorovin (1992-1998 – i cili i mbijetoi një atentati kundër tij gjatë kohës që ishte president), Boris Trajkovskin (1998-2003, i cili ndërroi jetë gjatë mandatit presidencial), Branko Cervenkovskin (2004-2009) dhe Gjorge Ivanovin (presidentin në ikje) me dy mandate (2009-2019).