Ish kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe i akuzuar nga SPAK për shpërdorim detyre do të vijojë të qëndrojë në burg.
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit ka rrëzuar për të katërtën herë kërkesën e tij për liri, duke e lënë në fuqi masën arrestit me burg.
Ish kryebashkiaku Tushe, kërkoi masë më të butë me argumentin se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, e për ketë kërkoi zbutje të masës “Arrest në burg”, por kërkesa, e tij, është rrëzuar nga GJKKO.
Edhe më herët ish kreu i Bashkisë Lushnjë, i akuzuar për “Shpërdorim detyre” në dyshimin e abuzimit me fondet publike dhe detyrën, ka kërkuar ndryshim të masës, teksa para Gjykatës ka mohuar akuzat, duke pretenduar pafajësi.
Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme, rezulton Fatos Tushe ka shpërdoruar detyrën në tre raste. Përgjatë një viti hetimesh, SPAK pretendon se kryebashkiaku i Lushnjës, ka kryer shkelje jo vetëm për dhënien në favor të miqve tenderin prej 23 milionë lekësh. Sipas SPAK ndonëse fituese u shpall ‘Euro Alb’, punimet për rehabilitimin e kanalit vaditës i kreu shoqëria e Ibrahim Lamit, i cili shfaqet shpesh në biseda dhe përgjime, si dhe etiketohet si ‘miku’ i kryebashkiakut.

