Javën e ardhshme, nisma për shkarkimin e presidentit Trump

Udhëheqësi i Komitetit për Inteligjencë në Dhomën e Përfaqësuesve, që drejton këto hetime, ka thënë më 6 nëntor se ish-diplomati amerikan për Ukrainë, William Taylor, zyrtari i DASH-it për karrierë, George Kent, dhe ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë, Marie Yovanovitch do të dëshmojnë më 13 dhe 15 nëntor.

Këto seanca të demokratëve mund të rezultojnë me shkarkim të Trumpit, lidhur me vendimin e tij për të pezulluar ndihmën ushtarake për Ukrainën, në kohën kur i ka bërë presion Kievit të kryejë hetime për rivalin e tij politik, Joe Biden, ish nën-president amerikan njëherësh një prej kandidatëve që i është bashkuar garës për president të SHBA-së më 2020.

Demokratët akuzojnë presidentin se ka abuzuar me pushtetin e tij për t’i kërkuar një shteti tjetër që të ndërhyjë në procesin politik të SHBA-së. Më 6 nëntor, Schiff ka ngritur dyshime se Trump “ka kërkuar nga të gjitha departamentet qeveritare që në mënyrë të paligjshme ta detyrojnë Ukrainën të gjejë ndonjë njollë në kundërshtarin e tij politik”. Zyrtarët amerikanë që do të dëshmojnë javën e ardhshme, veçse janë përballur me këtë proces në takime me dyer të mbyllura, dhe deklaratat e tyre janë prezantuar nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Taylor ka dëshmuar se ka qenë i shqetësuar se ndihma e SHBA-së mund të jetë përkthyer si kërkesë nga Kievi për të hetuar Bidenin dhe djalin e tij, Hunter. Yovanovitch ka thënë se Trump i ka bërë presion Departamentit amerikan të Shtetit për ta larguar atë nga pozita që ka pasur, duke u bazuar në “pretendime të rreme dhe të pabazuara”. Kent, diplomat amerikan tash e një kohë, i cili ka luftuar korrupsionin në Ukrainë dhe vende tjera, ka ngritur shqetësime rreth përpjekjeve të avokatit personal të Trumpit, Rudy Giuliani, për ta detyruar Ukrainën që të hetojë Bidenin dhe djalin e tij. Hetimet kanë nisur pas zbulimit të një bisede të 25 korrikut në mes të presidentit Trump dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy. /real-news.tv