Jep dorëheqjen gjyqtarja e Apelit në Shkodër

Gjyqtarja e apelit të Shkodrës Marina Rraboshta ka dhënë dorëheqjen para se ti nënshtrohej procesit të vetting-ut.

Prej disa ditësh, shkresa që njofton dorëheqjen e saj ndodhet në gjykatën e Apelit në Shkodër dhe Këshillin e Lartë të Gjyqësor, por ende nuk është pranuar.

Ajo bëhet kështu gjyqtarja e katërt që largohet nga Apeli i Shkodrës pas ish-kryetarit Fuat Vjerdha, i cili nuk arriti të kalojë vettingun, Hajrie Muçmatajt dhe Luan Dervishit.

Këto ditë pritet që të dalë para KPK, kryetari aktual i Gjykatës së Apelit të Shkodrës Astrit Kalaja i cili ka mbajtur edhe postin e zëvendës kryetarit deri para se të largohej kryetari Vjerdha.

Largimi i gjyqtarëve ka rënduar situatën në Apelin e Shkodrës pasi nga mangësitë e krijuara janë shtyrë shumë procese gjyqësore duke sjellë vonesa në gjykimin e çështjeve që mbërrijnë kryesisht nga gjykatat e shkallës së parë të veriut.