Xhesika Biqiku është 20-vjeçarja që humbi jetën në Kombinat si pasojë e tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit. Ndërkohë, babai i saj, Ilia vijon të jetojë në banesën që i mori jetën të bijës së tij.
Duhet thënë se pallati u shpall i pabanueshëm e të gjithë janë larguar, por vetëm Ilia Biqiku jeton ende aty.
Në një intervistë për Fax News, Biqiku tregon me detaje jetesën e tij në kushte mjaft të rënda dhe që trajtohet me një bonus simbolik prej 18 mijë lekësh.
Ai thotë se nuk ka ku të qëndrojë, ndërsa deri më sot, vetëm premtime janë bërë, pasi ndërtesa e re jo vetëm që nuk është ngritur, por nuk është shembur as e vjetra, brenda të cilës jeton banori i braktisur.
“Jetoj në pallatin ku vdiq goca. Unë u kam thënë vetë që do jetoj këtu, dhe me kanë lejuar. Jetoj vetëm. Nusja dhe gruaja kanë marrë apartament të ri nga kryeministri Rama dhe Erion Veliaj. Jetoj në pallatin 5 katësh që është vlerësuar në shkallën d4. Unë jam pa punë. Më kanë ndihmuar shokët dhe njerëzit. Dua një banesë tjetër këtu afër të jem afër varrit të vajzës. Nuk du privilegje, por një shtëpi përdhese.”- tha Ilia Biqiku.

