Jo më shumë se barazim me Ishujt Faroe, por Kosova mbetet e para

Edhe pse kaloi e para në avantazh përfaqësuesja e futbollit e Kosovës nuk arriti dot të merrte tri pikët në transfertën e Ishujve Faroe.

“Dardanët” kanë barazuar me rezultat 1-1 në ndeshjen e katërt në kuadër të Grupit 3 të Ligës D në Ligën e Kombeve.

Pjesa e parë e ndeshjes i takoi Përfaqësueses së Kosovës, e cila menaxhoi më mirë lojën dhe shënoi edhe një gol. Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e nëntë, ku Milot Rashica shënoi një supergol nga distanca për epërsinë 0-1.

Në pjesën e dytë, vendasit hynë furishëm duke gjetur golin pas vetëm pesë minutave, me anë të Rene Joensen.

Pas këtij barazimi, Kosova vazhdon të mbetet lider i Grupi 3 me tetë pikë, pasi Azerbajxhani barazoi gjithashtu 1-1 me Maltën, ndërsa Ishujt Faroe kanë katër pikë në vendin e tretë.

Ndeshja e radhës për ‘Dardanët’ është në udhëtim me Maltën me 17 nëntor, ndërsa Ishujt Faroe udhëtojnë në Azerbajxhan.

Lër një koment