Ju vdekshin fëmijët! Gazetari tregon se ç’ndodhi në gjyqin “Lazarati”

Familjarët e grupit të Lazaratit, nën akuzë për vrasjen e efektivit të policisë Ibrahim Basha, pas dhënies së vendimit të trupës së Gjykatës së Apelit kanë hedhur karrige në drejtim të trupit gjykues, ndërsa kanë lëshuar disa thirrje kundër tyre “Ju vdekshin fëmijët”.

Pas gjykatësve, të radhës që u dhunuan nga familjarët ishin gazetarët. Në një prononcim për Report Tv, gazetari i ABC News, Armand Bajrami, ka shpjeguar situatën me të cilën ai dhe kolegë të tij të tjerë u përballën në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

“Pati fjalë fyese dhe dhunë ndaj gazetarëve ana e familjarëve. Pati një tentativë të qëllohej gjykata me karrige por u ndaluan nga punonjësit e policisë”, tha Armand Bajrami, gazetar.

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda konfirmoi dënimet e 11 të përfshirëve në sulmin ndaj policisë verën e 2015-s në fshatin Lazarat ku mbeti i vrarë oficeri i RENEA-s Ibrahim Basha.

U shpallen dy dënime të përjetshme dhe 147 vite burgim. Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e shkallës së parë për vrasje të oficerit të policisë dhe vrasje të mbetur në tentativë ndaj dy oficerëve të tjerë.

I vetmi ndryshim ishte për dy prej të akuzuarve Alban Aliko që iu zbrit dënimi në 17 vjet e gashte muaj burgim si edhe Elsion Kazma, i cili mori gjithashtu të njëjtin dënim për shkak të moshës së mitur kur ndodhi sulmi ndaj policisë së shtetit

Dënime të përjetshme morën Arbjon Aliko dhe Bajram Boci që konsiderohen nga akuza si grupi i zjarrit. Në 2015, një vit pasi Lazarati ishte vendosur nën kontrollin e shtetit 11 persona thotë Prokuroria organizuan sulm ndaj policisë për të rimarrë kontrollin e fshatit dhe për të vijuar me kultivimin e kanabisit.

Për incidentin foli Avokati i Ruhan Hirajt, i cili këmbëngul se personi që vrau oficerin Ibrahim Basha është ende i lirë.

Pritet që avokatët të dorëzojnë rekurs në Gjykatën e Lartë

Lër një koment