Juve u beson “të vjetërve”, Chiellini i jep 3 pikët në Parma

Sezoni 2019-2020 i kampionatit italian të futbollit ka ngritur siparin pasditen e sotme me sfidën e “Enzo Tardinit”, mes Parmës dhe Juventusit, ku kampionët enë fuqi e nisën me këmbën e mbarë, duke dalë me 3 pikë nga kjo transfertë.

Pa trajnerin Sarri në pankinë për shkak të një problemi shëndetësor, bardhezinjtë nuk hodhën në fushë nga minuta e parë asnjë prej blerjeve të verës, duke u besuar futbollistëve që kanë kontribuar në disa tituj kampionë.

Sfida nisi mirë për Juventusin, teksa rezultati u zhbllokua në minutën e 21-të, kur kapiteni Giorgio Chiellini shënoi pas një krosimi të mbrojtësit brazilian Alex Sandro. Pak minuta më vonë, topin në rrjetë e dërgoi edhe Cristiano Ronaldo, por goli u anulua për një pozicion të dyshimtë jashtë loje.

Pas vuajtjeve në pjesën e parë, Parma ndryshoi në pjesën e dytë dhe veçanërisht në 15-20 minutat e fundit të takimit ishte vërtetë e rrezikshme, duke i shkuar pranë golit të barazimit, por pa ia dalë të dërgojë topin në rrjetën e Szczesnyt.

Vërshëllima finale e arbitrit të takimit la në fuqi rezultatin minimal 0-1 në favor të Juventusit, që mori maksimumin e pikëve në këtë ndeshje dhe tregoi se mbetet pretendentja kryesore për titullin kampion edhe këtë sezon.