Kadare: Teatri Kombëtar ndërtesë e përkohshme ku zbavitej ushtria italiane

Një parathënie e shkrimtarit Ismail Kadare, shkruar në vitin 2008 në librin “Vepra të zgjedhur” të Mid’hat Frashërit, promovuar këtë të mërkurë, shfaqet mjaft aktuale për debatin e hapur në Shqipëri mbi shembjen ose jo të Teatrit Kombëtar.

Aty, Kadare shkruan se sa i padenjë është Teatri Kombëtar për të mbajtur këtë emër dhe shkon pas në kohë kur thotë se ushtria italiane e shfrytëzonte këtë ndërtesë për zbavitjen e trupave të saj.

“Dramaturgjia përbën pjesën më të papërfillshme në letrat shqipe. Nga ana e saj, jeta teatrale nuk ka shkëlqyer kurrë në këtë zonë të Ballkanit. Shqipëria është i vetmi vend në Europë, që nuk ka ende një ngrehinë teatri, të denjë për këtë emër. Teatri Kombëtar i sotëm, ish-Teatri popullor i kohës së komunizmit, i cili quhej dikur kinema Kosova, nuk ka qenë veçse një ndërtesë e përkohshme, nga ato që ushtria italiane i përdorte për zbavitjen e trupave të saj. Për një habi, që në pamje të parë ngjan e pashpjegueshme, faktorët proteatrorë në Shqipëri janë të barabartë me ata kundër teatrorë. Duket sikur nga përplasja e tyre nuk mund të kishim veçse këtë tokë të askujt…“, shkruhet në parathënien e Kadaresë “Drama e një lideri” për “Foleja kombëtare” të Mid’hat Frashërit…fjalë që përkojnë me gjendjen e Teatrit tonë Kombëtar aktualisht.

Libri “Vepra të zgjedhura” të  Mid’hat Frashërit u promovua gjatë ditës së enjte, dhe përmban proza poetike, tregime, skica dhe rrëfime poetike, si edhe 60 proza meditative, të panjohura për lexuesit edhe studiuesit të Mid’hat Frashërit.  Eshtrat e Mid’hat Frashërit do të riatdhesohen në Tiranë në muajin nëntor dhe do të vendosen tek varrezat monumentale të vëllezërve Frashëri.

Ligji për teatrin Kombëtar u kthye për herë të dytë në parlament nga presidenti Ilir Meta, dekreti i të cilit do të kalojë sërish në votim ditën e enjte. Kreu i shtetit thotë se ky ligj është në shkelje të parimeve kushtetuese për identitetin kombëtar, ndërkohë që shoqëria civile dhe vetë aktorët janë kundër shembjes. Qeveria ka planifikuar hapjen e garës mes disa kompanive që do të marrin përsipër shembjen dhe më tej ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar

Lër një koment