Kalojnë 2679 aplikantë, shpallen datat e testimit me shkrim për “Patrullë e Përgjithshme”

Në përfundim të procedurave të shqyrtimit të dokumentacionit të dorëzuar nga aplikantët për të konkuruar në Kolegjin e Policisë për Patrullë të Përgjithshme, ku procesi i aplikimit u hap më datën 20 Korrik dhe zgjati deri më datën 20 Shtator, si dhe procesi i verifikimit përfundoi më datën 09 Tetor, nga verifikimi i bërë rezulton se numri total i aplikantëve që plotësojnë kriteret për të ndjekur fazat e mëtejshme të konkurrimit është 2679, nga këta 2295 meshkuj dhe 384 femra.

Në bazë të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm  të Policisë së Shtetit “Për rregullat e konkurrimit për pranimin në Akademinë e Sigurisë, për Shkollën Bazë të Policisë për Patrullë të Përgjithshme”, faza e parë e konkurimit, testimi me shkrim, do të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve në datat: 15 dhe  16 Tetor 2018, sipas numrave kodik

Më datën 15 Tetor, në orën 07.00,  do të zhvillohet testimi për aplikantët e qarqeve Dibër, Lezhë, Kukës, Durrës, Korçë e Gjirokastër, si dhe një pjesë e aplikantëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër me kodet nga 0929 deri në 1000.

Më datë 16 Tetor, grupi i parë, në orën 07.00, do të zhvillohet testimi me shkrim me aplikantët e qarkut  Shkodër me kodet nga 1001 deri më 1057, me aplikantët e qarkut Elbasan, Berat, Fier, Vlorë si dhe me aplikantë të Drejtorisë Vendore  të Policisë Tiranës nga numri kodit 1964 deri në 2000.

Po më datën 16 Tetor, grupi i dytë, në orën 11.00, do zhvillohet testimi me aplikantët e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë me kodet 2001 deri në 2677, dhe dy aplikantë me numrat kodit 2678 e 2679.

Aplikantët, duke filluar nga data 10.10.2018 të paraqiten pranë zyrave të Burimeve Njerëzore në Drejtoritë Vendore të Policisë ku kanë aplikuar,  për tu pajisur me fletën e paranimit për testim.

Aplikantët duhet të kenë me vete kartën e identitetit ose pasaportën dhe fletën e pranimit për testim të lëshuar nga Drejtoria Vendore e Policisë ku është i shënuar dhe numri kodik përkatës.

“Policia e Shtetit garanton të gjithë aplikantët se ka marrë të gjitha masat me qëllim kryerjen e një procesi testimi të drejtë, të paanshëm dhe transparent, sipas parimit të shanseve të barabarta, meritës dhe mosdiskriminimit”, thuhet në një njoftim zyrtar të Policisë së Shtetit.

Lër një koment