fbpx

Kamioni me 1.3 ton kokainë kaloi dy dogana (Shkodër, Pogradec) me dijeninë e DEA-s! Reagon SPAK

DEA amerikane, autoritetet italiane dhe SPAK kanë bashkëpunuar për të lejuar kalimin e kamionit me 1.3 ton kokainë për të vëzhguar nëse lënda narkotike kishte lidhje me grupe kriminale shqiptare. Sipas burimeve për Report Tv, kalimi i kamionit me drogë është bërë nën monitorimin në mënyrë që të mos devijonte dhe të kryente itinerarin Shkodër-Pogradec-Maqedoni. Sipas hetimeve rezultoi që droga nuk kishte lidhje me grupet kriminale shqiptare, por vendi ynë është përdorur thjeshtë transit për të arritur në destinacionin përfundimtar në Slloveni.

DEA dhe autoritetet italiane, prej ditësh ndiqnin hetimet dhe rrugën e kamionit, ndërsa kalimi i tij në Shqipëri u bë me leje dhe nën monitorimin e SPAK.

Sipas gazetarit të Report Tv Arsen Rusta kamioni ka hyrë dje në Shkodër dhe ka dalë sot në mëngjes nga Pogradeci. Pas kalimit të kufirit shqiptar, hetuesit e infiltruar të DEA dhe italianëve, kanë bërë të mundur ndalimin e drogës në Maqedoni në një magazinë me banane, ku janë ndaluar edhe 5 persona.

Rreth 1.3 ton kokainë u sekuestrua pasditen e sotme në një magazinë me banane në fshatin Krushopek të Komunës së Sarajit në Maqedoninë e Veriut. Kokaina ishte nisur nga Amerika Latine deri në Bar të Malit të Zi, dhe kishte destinacion final Slloveninë.