Kanadaja mbyll përkohësisht ambasadën e saj në Venezuelë

Kanadaja njoftoi se ka mbyllur përkohësisht ambasadën e saj në Caracas të Venezuelës.

Ministrja e Jashtme e Kanadasë, Chrystia Freeland në një deklaratë me shkrim tha se “Venezuela po zhytet në thellësinë e diktaturës dhe se qytetarët venezuelianë vazhdojnë të vuajnë në duart e regjimit të paligjshëm të Maduros”.

“Regjimi e bën të vështirë për ambasadat e huaja që të kryejnë detyrat e tyre në Venezuelë dhe veçanërisht që ato të mbrojnë restaurimin e demokracisë në Venezuelë”, tha ajo.

Më tej Freeland thekson se “Për fat të keq në fund të këtij muaji, diplomatët kanadezë në Venezuelë nuk do të jenë në gjendje të marrin akreditim diplomatik nën regjimin e Maduros dhe vizat e tyre do të përfundojnë. Për këtë arsye, nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse të pezullojmë aktivitetet tona në ambasadën kanadeze dhe ta vëmë këtë menjëherë në zbatim. Po shqyrtojmë edhe situatën e diplomatëve venezuelianë të emëruar në Kanada nga regjimi i Maduros”.

Pasi ka vënë theksin se pavarësisht vendimit për pezullimin e përkohshëm vendi i saj do të vazhdojë të punojë me Grupin Lima dhe partnerët e komunitetit ndërkombëtar në lidhje me çështjen e Venezuelës, Freeland tha se “Kanadaja do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen konsullore për kananadezët nga ambasada e Kanadasë në kryeqytetin e Kolumbisë, Bogota”.

Kanadaja ka njoftuar mbështetjen e saj për liderin opozitar Juan Guaido i cili shpalli veten si president të përkohshëm të Venezuelës më 23 janar./real-news.tv/