Kandidatët presidencialë përplasen rreth emigrimit në SHBA

Kandidatët demokratë për president të Shteteve të Bashkuara janë përplasur rreth sistemit të sigurimit shëndetësor dhe politikave për kufirin, në debatin e parë që është mbajtur gati 16 muaj para se amerikanët të votojnë.

Në raundin e parë të debateve, shumë kandidatë që nuk kanë shumë nam, kanë synuar të fitojnë vëmendje, ashtu që të mposhtin presidentin aktual, Donald Trump, në zgjedhjet e nëntorit të vitit 2020.

Ata kanë sulmuar vazhdimisht presidentin Trump, duke thënë se politikat ekonomike të tij janë rezultat i punës së madhe të amerikanëve, dhe kanë konsideruar qasjen e tij për kufirin si tejet të ashpër.

“Më 20 janar, 2021, ne i themi ‘lamtumirë’ Donald Trump”, ka thënë kandidati, Jualian Castro.

Mirëpo ata kanë dalë kundër qëndrimeve të njëri-tjetrit, duke shënjestruar kryesisht, kandidatin, Beto O’Rourke. Ish-kongresisti është përplasur me Castron për politikat rreth kufirit, si dhe me kryetarin e Nju-Jorkut, Bill de Blasio, në çështjet shëndetësore.

Beteja për sigurim shëndetësor ka nisur kur kandidatët janë pyetur të ngrenë dorën nëse do të mbështesnin eliminimin e sigurimit privat shëndetësor. Vetëm senatorja, Elizabeth Warren dhe de Blasio janë pajtuar, për të sfiduar tetë kandidatët tjerë në skenë.

Warren, lidere e krahut progresiv të partisë, ka thënë se sigurimi privat shëndetësor është duke përfituar nga amerikanët. Prandaj ajo ka mbështetur sigurimin shëndetësor të sponsoruar nga qeveria, dhe ka kritikuar atë që besojnë se një gjë e tillë nuk është e mundshme.

“Çfarë thonë ata është se nuk do të luftojnë për këtë çështje. Sigurimi shëndetësor është e drejtë bazike dhe unë do të luftoj për këtë”, është shprehur ajo, përcjell rel.Ish-përfaqësuesi amerikan, John Delaney, një kritik i ashpër i konceptit për sigurim shëndetësor të siguruar nga shteti, ka thënë se demokratët nuk duhet të eliminojnë një sistem me të cilën janë të kënaqur disa amerikanë.

“Besoj se ne duhet të jemi partia që mirëmban atë që është duke funksionuar dhe rregullon pjesët e dëmtuara”, ka deklaruar, Delaney.

Sigurim Shëndetësor për të gjithë, politikë e shtyrë përpara nga Warren dhe kandidati tjetër, Bernie Sanders, që ka fituar edhe përkrahje në Kongres, parasheh krijimin e një plani të drejtuar nga qeveria, që eliminon sistemet private të sigurimit shëndetësor.

Numri i kandidatëve demokratë do të fillojë të zvogëlohet në shkurt të vitit 2020, kur shtetet të fillojnë të mbajnë rrethim e parë të zgjedhjeve, çka do të rezultojë edhe nominim të një kandidati./real-news.tv/