fbpx

Kapet 32-vjeçari, lëvizte në “Qytetin e nxënësve” me pistoletë silenciator

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 32 vjeçar pasi teksa lëvizte në “Qytetin e nxënësve” kishte me vete një armë zjarri pistoletë me silenciator.

Tiranë

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, operacioni policor “Befasia”.

Vihet në pranga një 32-vjeçar me precedent penal në fushën e narkotikëve, i cili qarkullonte me armë zjarri.

Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë me silenciator dhe municion luftarak.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e shpërndarjes së drogave të forta, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, pas një hetimi trijavor, kanë zhvilluar operacionin policor të koduar “Befasia”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit K. T., 32 vjeç, banues në Tiranë, person me precedent penal në fushën e shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, pas informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas me precedent të mëparshëm penal vijonte të ushtronte aktivitetin kriminal në fushën e narktikëve, kryesisht në Kombinat dhe në zonën e Tiranës së Re, kanë regjistruar procedimin penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Pa tri javë hetimesh, nisur dhe nga informacioni i marrë se ky shtetas në vendin e quajtur ” Qytet i nxënësve” po  qarkullonte me biçikletë dhe mund të kishte me vete lëndë narkotike dhe armë zjarri, kanë zhvilluar operacionin policor “Befasia”. Gjatë kontrollit, shtetasit K. T., në çantën që mbante në dorë, Policia i gjeti një armë zjarri pistoletë me silenciator.

Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, Policia gjeti dhe sekuestori edhe një sasi fishekësh luftarak.

Materialet i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.