Kashar-Rrogozhinë, 670 mln euro për 44 kilometra rrugë

44 kilometrat e rrugës së re Kashar-Rrogozhinë nga 330 milionë euro që ishte planifikuar kosto në relacionin e buxhetit të vitit 2018 u rrit në 670 milionë euro ne vitin 2019. Dyfishimi i vlerës bën që vetëm për 64 kilometra rrugë, nga Thumana në Rrogozhinë kosto që duhet paguar nga qytetaret shqiptarë shkoi në 1 miliardë euro, ose 10 përqind e prodhimit kombëtar.

Kostot e projekteve koncesionare në rrugë kanë dalë jashtë kontrollit duke u rritur në mënyrë të frikshme nga viti në viti. Top Channel publikon dokumentet zyrtarë që tregojnë se si u dyfishua brenda një viti të vetëm kostoja e autostratës kashar-rrogozhinë, një projekt të cilin qeveria e ka listuar për ta dhënë me koncesion.

Ky është relacioni i buxhetit të shtetit për vitin 2018. Sic duket qartë në tabelë kostoja e dhënies me koncesion të rrugës kashar rrogozhinë është vlerësuar 41.5 miliardë lekë ose 330 milionë euro me kursin aktual.

Por çfarë ka ndodhur për një vit? Ky është relacioni i projektbuxhetit të vitit 2019. Në dokumentin e miratuar në qeveri dhe të sapopublikuar nga ministria e financave, kostoja e koncesionit të Kashar-Rrogozhinë është rritur nga 41.5 miliardë lekë që ishte vjet në 84.7 miliardë lekë. Pra sic tregojnë tabelat zyrtare, qeveria e ka rritur koston e rrugës me rreth 2.1 herë ose me plot 337 milionë vetëm brenda një viti.

Kashar-Rrogozhinë është pjesë e autostradës Thumanë-Rrogozhinë me gjatësi totale 64 kilometër. Fillimisht qeveria kishte parashikuar që këtë rrugë ta jepte si një koncesion të vetëm. Por më vonë rruga u nda në dy segmente, Thumanë-Kashar me gjatësi 20 kilometër dhe Kashar-Rrogozhinë me gjatësi 44 kilometër.

Segmenti i parë ai i Thumanë-kashar u tenderua para disa muajsh. Koncesioni për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit me gjatësi 20 kilometër ju dha kompanisë “Gener 2” për një vlerë rekord që sipas relacionit të projektbuxhetit 2019 mund të arrijë deri në 340 milionë euro. Këto para do të paguhen drejtëprdrejët nga buxheti për 13 vjet. Ndërsa segmenti i dytë ai nga Kashari në Rrogozhinë është listuar si projekt për tu dhënë me koncesion gjatë viteve në vijim me kosto të parashikuar që tani ka arritur në 84.7 miliardë lekë ose mbi 670 milionë euro. Ende nuk dihet nëse dhe kjo rrugë do të shlyhet direkt nga buxheti, si segmenti i parë, apo do të ketë një formë tjetër, përkatësisht përmes tarifës së kalimit.

Por përtej këtij detaji Thumanë-Rrogozhinë vendos një rekord të paprecedentë në historinë e financave të shtetit shqiptar, ku nëse tenderohet dhe segmenti i dytë qytetarët shqiptarë do të thirren për të paguar 1 miliardë euro ose 10 për qind të prodhimit kombëtar për një rrugë me gjatësi vetëm 64 kilometër. (Top Channel)

Lër një koment