Katalonja nuk gjen qetësi, vijojnë protestat për burgosjen e liderëve separatistë

Qindra mijëra mbështetës pro-pavarësisë nga gjithë rajoni i Katalonjës, janë mbledhur të premten, teksa sindikatat kanë bërë thirrje për greva të përgjithshme, në ditën e pestë të protestës, që vjen si pasojë e burgosjes së nëntë liderëve separatistë.

Tensionet në mes të Madridit dhe Katalonjës janë rritur prej të hënës, kur Gjykata Supreme e Spanjës ka dënuar nëntë politikanë dhe aktivistë deri me 13 vjet burgim për shkak të rolit të tyre në referendumin që është mbajtur për pavarësi të këtij rajoni nga Spanja.

Këto dënime kanë nxitur protesta në gjithë rajonin, derisa me raste protestuesit edhe janë përleshur me policinë.

Liderët pro-pavarësisë patën vazhduar të dërgojnë përpara referendumin e vitit 2017, ndonëse ishte shpallur i paligjshëm nga Gjykata spanjolle.

Ata patën shpallur një deklaratë, përmes së cilës ndanin këtë rajon nga Spanja.

Rrugët kryesore janë bllokuar të premten në Katalonjë për shkak të protestave, si dhe linjat tjera të transportit kanë njoftuar se do të funksionojnë me orare të kufizuara.

Federata Spanjolle e Futbollit ka thënë përmes një deklarate se ndeshja e 26 tetorit që ishte planifikuar të zhvillohej mes Real Madrid dhe Barcelonës, do të shtyhet për një datë tjetër, pas shqetësimeve për sigurinë.