Katari largohet nga OPEC për t’u përqëndruar te gazi natyror

download-18.jpg

Katari do të largohet muajin e ardhshëm nga organizata “OPEC”, me synimin që të fokusohet tashmë në prodhimin e gazit natyror. Lajmi është dhënë nga ministri i ri i Energjisë së këtij vendi, Saad al-Kaabi.

Katari ka qenë anëtar i OPEC-ut që prej vitit 1961, ndërsa vendimi për t’u tërhequr vjen mes një periudhe të turbullt në politikën e vendeve të Gjirit, me Dohan që i është nënshtruar bojkotit 18-mujor nga fqinjët ish-aleatë, përfshi Arabinë Saudite.

“Katari ka vendosur të tërheqë anëtarësinë e tij nga OPEC, duke filluar nga janari i vitit 2019. Ky vendim i është komunikuar OPEC-ut mëngjesin e sotëm”, tha Kaabi në një konferencë për shtyp nga Doha.

Kaabi, i cili qëndron gjithashtu në krye të kompanisë shtetërore “Qatar Petroleum”, mohon faktin që kjo të lëvizje të jetë e lidhur me mosmarrëveshjet me Arabinë apo aleatët e tjerë të saj.

“Vendimi është teknik dhe strategjik dhe nuk ka të bëjë aspak me bllokadën”, tha ai më tej.

Katari, sipas tij, do të vazhdojë gjithsesi të prodhojë naftë dhe do të synojë të arrijë marrëveshje me vende të tjera, përfshi prodhuesin kryesor të Amerikës Latine, Brazilin. Megjithatë, prioriteti kryesor do të jetë prodhimi i gazit për Katarin, vend i cili konsiderohet si eksportuesi më i madh në botë i gazit natyror të lëngshëm (LNG).

“Ne nuk kemi një potencial të madh sa i përket naftës, e për këtë jemi tejet realistë”, tha Kaabi, i cili e përshkroi veten si “Zotëria Gazi” gjatë konferencës. “Potenciali ynë i vërtetë është gazi. Mendoj se është joefiçente të fokusohemi në diçka që nuk është biznesi kryesor për ne, apo diçka që nuk do të na japë përfitime në periudhë afatgjatë”.

Në shtator, Katari njoftoi planet për të nxitur prodhimin e gazit, duke e çuar në gati 110 milionë ton në vit deri në 2024-n. Ndërkohë, prodhimi i naftës nga ky vend shkon deri në 600 mijë fuçi në ditë, duke e renditur Katarin si vendin e 17 në botë për prodhimin e naftës së papërpunuar.

 

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303