“Kcimi i Tropojës” gati për tu bërë pjesë e UNESCO-s

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka takuar kryetarin e shoqatës “Kcimi i Tropojës”, Skënder Haklaj, me të cilin ndau bindjen për domosdoshmërinë e ruajtjes së kësaj pasurie folklorike të Malësisë së Gjakovës dhe bërjen e saj pjesë të UNESCO-s së bashku me pasuritë e tjera kulturore shqiptare.

Sipas koreografit të njohur Skënder Haklaj vallja e Tropojës është:

“Është paravalle, është kcim. Në Tropojë nuk quhet valle, quhet kcim për arsye se ka një karakteristike strukturore si në formë, si në përmbajtje, po ashtu edhe në trajtë, ndryshe nga vallja. Duke ditur se i gjithë korpusi i valleve të kombit tonë vjen nga e majta në të djathtë, duke prirë të djathtën, pra ka një kah, kcimi nuk ka krahë dhe as nisje, as në të majtë, as në të djathtë. Ai nis me individualitetin e çdo virtuozi popullor”

Kjo pasuri e çmuar kombëtare është shpallur nga Ministria e Kulturës dhe Akademia e Shkencave, si pjesë e listës së kryeveprave të Trashëgimisë Kulturore jo materiale.

“Hapi tjetër është UNESCO. Kemi përgatitur të gjitha materialet. Kemi bërë filmime në Bjeshkë, duke trajtuar të gjitha motivet e kcimeve të Tropojës, qoftë me ritet, qoftë me legjendat, qoftë me kërcime të lira, kërcime loje, humoristike, dasmore, epiko-luftarake, qëndresës dhe mbrojtjes. Të gjitha këto motive janë derdhur dhe janë të filmuara”, tha më tej koreografi Haklaj.

Dosja për të garuar në UNESCO është gati, mbetet vetëm që Ministria e Kulturës dhe partnerët e saj të plotësojnë formularin e aplikimit, për ta futur “kcimin” e Tropojës në listën e pasurive kulturore botërore. /real-news.tv