28.5 C
Tirana
E enjte, 13 Qershor, 2024

TË FUNDIT

KE: Paratë e pista kanë mbytur Shqipërinë, hetimet janë zero

spot_img

Në një raport të botuar sot nga Këshilli i Europës, u bëhet thirrje autoriteteve shqiptare që të shtojnë përpjekjet e tyre në ndjekjen e pastruesve të parave dhe konfiskimin e aseteve të tyre, duke dhënë alarmin edhe për rrezikun e financimit të terrorizmit.

Raporti bën një vlerësim gjithëpërfshirës të efektivitetit të sistemit kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit të Shqipërisë dhe nivelit të tij të pajtueshmërisë me rekomandimet e FATF. Bazuar në rezultatet e vlerësimit të saj, MONEYVAL vendosi të aplikojë procedurën e ndjekjes/hetimit të zgjeruar në Shqipëri.

MONEYVAL, struktura e posaçme pranë Këshillit të Europës që merret me pastrimin e parave, thotë se mekanizmat që ka Shqipëria kundër pastrimit të parave nuk janë efektive.

Deklarata thotë se Korrupsioni paraqet rreziqe të mëdha të pastrimit të parave në Shqipëri.

‘Shpesh i lidhur me aktivitetet e krimit të organizuar, gjeneron shuma të konsiderueshme të të ardhurave kriminale dhe dëmton seriozisht funksionimin efektiv të sistemit të drejtësisë penale. Autoritetet janë të vetëdijshme për rreziqet nga korrupsioni, por deri më tani zbatimi i ligjit ka kushtuar vëmendje të kufizuar për të synuar pastrimin e parave lidhur me korrupsionin’.

Deklarata thekson se hetimet e autoriteteve kompetente rrallë rezultojnë në aktakuza dhe procedurat e pastrimit të parave të ndërlidhura me veprat e rëndësishme të gjenerimit të të ardhurave janë kryesisht pezulluar ose hedhur poshtë nga prokuroria.

Raporti nënvizon se Shqipëria ka një kuadër të fuqishëm ligjor për konfiskimin e të ardhurave kriminale, por numri dhe vlera e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara nuk duket të jetë në përpjesëtim me nivelin e kriminalitetit në vend.

Sa i përket financimit të terrorizmit, MONEYVAL vëren se perceptimi dhe kuptimi i rreziqeve të lidhura nuk duket se adresojnë në mënyrë adekuate karakteristikat e aktiviteteve të mundshme të financimit të terrorizmit në vend dhe në rajon. Nuk ka qasje sistematike për të identifikuar dhe hetuar aspektet e financimit të shkeljeve të lidhura me terrorizmin. Në lidhje me zbatimin e sanksioneve financiare të synuara ka disa mangësi teknike, të cilat mund të pengojnë efektivitetin e përputhshmërisë së Shqipërisë.

Raporti thekson se Banka e Shqipërisë ka një kuptim të mirë të rrezikut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe kohët e fundit ka përmirësuar sistemin e vet të raportimit jashtë vendit për të mbështetur vlerësimin e tij për rreziqet e subjekteve individuale. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është në proces të kalimit në një qasje të bazuar në rrezik në mbikëqyrje, por veprimtaria e saj inspektuese e ndërmarrë deri më tani ka qenë shumë e kufizuar. Megjithëse janë bërë disa përpjekje të rëndësishme, as Banka e Shqipërisë as Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare nuk zbatojnë në mënyrë konsekuente një perspektivë të bazuar në rrezik, kur shqyrtojnë kërkesat për licenca nga institucionet financiare, ose marrin një qasje sistematike për t’i monitoruar ato në mënyrë që të zbusë plotësisht rrezikun e infiltimit të kriminalitetit.

Komiteti i Ekspertëve mbi Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (MONEYVAL) është organ monitorues i Këshillit të Evropës i ngarkuar me detyrën e vlerësimit të pajtueshmërisë me standardet kryesore ndërkombëtare për të parandaluar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmin dhe efektivitetin e zbatimit të tyre, si dhe me detyrën e bërjes së rekomandimeve tek autoritetet kombëtare në lidhje me përmirësimet e nevojshme në sistemet e tyre.

spot_img

Latest Posts

spot_img

Më të lexuarat