Këngëtarja e famshme kujton humbjen e njeriut të shtrenjtë

Këngëtarja me famë botërore, Beyonce, nuk i ka mbajtur dot lotët teksa u ngjit në skenën e “GLAAD Awards”.

Arsyeja se pse shpërtheu në lot ishte përmendja e xhaxhait të saj Jonny, i cili u nda nga jeta në fillimet e karrierës së saj si pasojë e HIV AIDS.

37-vjeçarja, e cila kishte dhe bashkëshortin në skenë për ta ngushëlluar tha se humbja e tij ishte një nga gjërat më të tmerrshme që i kishin ndodhur në jetë.

Beyonce e përshkroi xhaxhain e saj si “gay-n më të mrekullueshëm ndonjëherë”. “Ai ishte i guximshëm dhe nuk kishte pendime, në kohën kur ky vend kishte paragjykime. Të isha dëshmitare e humbjes së betejës së tij kundër SIDA-s ishte një nga eksperiencat më të dhimbshme të jetës sime. Kam shpresë që sfida e tij shërbeu për t’i hapur rrugën të rinjve që të jetojnë lirisht”, tha këngëtarja e famshme.

Diva e muzikës pop shtoi se të drejtat e komunitetit LGBTQ janë të drejtat e njerëzimit: “Të zgjedhësh se kë dashuron është e drejta jote”.

Beyonce pranoi çmimin “Vanguard Award” në 30-vjetorin e eventit “GLAAD Awards”, i cili lidhet me përfaqësimin dhe gjithëpërfshirjen e komunitetit LGBTQ brenda medias.