Këshilltari i sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë viziton Moskën

bolton.jpg

Këshilltari i sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton, filloi ditën  e sotme turin e tij dy ditor të takimeve me zyrtarë të lartë rusë pas njoftimit të Uashingtonit për tërheqjen nga Traktati i Armëve Bërthamore.

Vizita e Bolton në Moskë ishte planifikuar përpara njoftimit të së shtunës nga Presidenti Donald Trump se SHBA po tërhiqej nga traktati.

Traktati i Armëve Bërthamore u nënshkrua në vitn 1987 nga presidenti amerikan Ronald Reagan dhe Mikhail Gorbaçov, kreu i fundit sovjetik, i cili deklaroi se “tërheqja nga kjo marrëveshje  tregon mungesë mençurie” dhe është një “gabim”.

Bolton mbërriti në Rusi ditën e dielë dhe do të takohet me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe Sekretarin e Këshillit të Sigurimit Nikolai Patrushev.

Ndërkohë, zëvendësi i Lavrovit, Sergei Ryabkov paralajmëroi se tërheqja “do të ishte një hap shumë i rrezikshëm” dhe këmbënguli se Moska e ka shqyrtuar traktatin “në mënyrën më të rreptë”, duke akuzuar Uashingtonin për “shkelje flagrante”.

Por presidenti amerikan pretendon se është Rusia e cila ka shkelur traktatin për një kohë të gjatë.

“Ne jemi ata që kanë qëndruar në marrëveshje dhe e kemi respektuar atë, por Rusia nuk e ka bërë diçka të tillë, kështu që ne do të tërhiqemi”, deklaroi Trump duke shtuar se Rusia ka shkelur marrëveshjen për shumë vite.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303