Këshilltari i Sigurisë konfirmon daljen e SHBA-së nga marrëveshja bërthamore

Putin-Bolton.jpg

Uashingtoni do të vazhdojë me planin për të dalë nga marrëveshja e armëve bërthamore, pavarësisht kundërshtimeve nga Rusia dhe disa vende europiane.

Lajmi u konfirmua nga zyrtari i lartë i SHBA-së, John Bolton pas takimit 90 minutësh me Presidentin rus Vladimir Putin.

Në takim u dakortësua që udhëheqësi rus të zhvillojë bisedime me Presidentin e SHBA Donald Trump në Paris muajin e ardhshëm, takimi i tyre i parë që nga takimi i korrikut në Helsinki.

Por bisedimet e Moskës duket se nuk ndryshuan dëshirën e deklaruar të Trump që Uashingtoni të largohet nga marrëveshja bërthamore, një hap që Moska ka konsideruar si të rrezikshëm dhe shumë vende europiane e kanë kritikuar.

“Ka një realitet të ri strategjik,” tha Bolton në një konferencë shtypi duke shtuar se traktati i epokës së Luftës së Ftohtë nuk i përgjigjet kërcënimeve të reja raketore nga vende të tilla si Kina, Irani dhe Koreja e Veriut, dhe prandaj është i tepërt.

“Njoftimi zyrtar për tërheqjen nga marrëveshja ende nuk është paraqitur, por do të dorëzohet në kohën e duhur,” tha ai, duke sugjeruar se është një proces që mund të zgjasë disa muaj.

Moska ka paralajmëruar Uashingtonin se do të jetë e detyruar të përgjigjet për të rivendosur ekuilibrin ushtarak nëse Trump tërhiqet nga marrëveshja e vitit 1987, e cila eliminoi të gjitha raketat bërthamore të të dy vendeve në Europë.

Por Bolton u tha gazetarëve se Uashingtoni do të injoronte kundërshtimet ruse ndaj planeve të saj të tërheqjes.

SHBA akuzon Moskën për shkelje të marrëveshjes, çka është kundërshtuar nga Putin.

scroll to top