Kim Jong-Un i gatshëm për një takim të tretë me Trump

Pavarësisht se Samiti i dytë mes Donald Trump dhe Kim Jong-un nuk shkoi mirë dhe u ndërpre më herët se sa ishte parashikuar, një tjetër takim duket se do të mbahet mes të dy liderëve.

I pari që shprehu dëshirën ishte presidenti amerikan Donald Trump gjatë pritjes në Shtëpinë e Bardhë të presidentit koreano-jugor, Mun Jae-In. E menjëhershme ishte përgjigja e liderit komunist, i cili në një deklaratë për agjencinë shtetërore të lajmeve në Penian, konfirmoi se do të ishte i gatshëm të takonte Trumpin, nëse SHBA-të do të kishin një sjellje të drejtë.

Kim Jong-Un i bëri thirrje presidentit Trump t’i përmbahet marrëveshjes së arritur nga të dyja palët. Kjo marrëveshje parashikon heqjen e sanksioneve ndaj Penianit dhe denuklearizimin e Koresë së Veriut.

Trump dhe Jong-Un zhvilluan takimin e parë historik, vitin e kaluar në Singapor, ndërsa në muajin shkurt të këtij viti u takuan për herë të dytë në Vietnam. Ishte pikërisht samiti i fundit që riktheu dyshimet mes palëve. Përballë rezistencës së Trump për të hequr përfundimisht sanksionet, lideri komunist vendosi të braktisë takimin.

Pas këtij dështimi, agjencitë amerikane të sigurisë kanë shfaqur prova se Koreja e Veriut po zhvillon sërish programin raketor./real-news.tv/