Kim Jong Un udhëton me tren drejt Vietnamit për t’u takuar me Trump

Lideri i Koresë Veriore, Kim Jong Un, e ka nisur udhëtimin me tren nëpër Kinë për të arritur në Vietnam, ku do të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump, me të cilin do ta zhvillojë samitin e dytë për armët bërthamore.

Dy presidentët do të takohen në Hanoi tetë muaj pas takimit të tyre të parë historik në Singapor. Në atë takim, ata premtuan se do të bashkëpunojnë për çarmatimin e Gadishullit Korean. Ndonëse prej asaj kohe është shënuar pak përparim, në takimin e dytë pritet të bisedohet për programin bërthamor të Koresë Veriore.

Në pamjet e publikuara nga mediat shtetërore të vendit komunist, Kim Jong Un është parë duke ecur drejt trenit,i nderuar nga garda ushtarake dhe një grumbull i qytetarëve. Pasi ka hipur në tren, ai e ka përshëndetur turmën nga dritarja e vagonit.

Ai është i shoqëruar nga zyrtarët e lartë shtetërorë, të cilët kanë marrë pjesë edhe në samitin e Singaporit. Pjesë e delegacionit është edhe motra e diktatorit./real-news.tv/