Kina i ofron ndihmë Venezuelës për rikthimin e energjisë elektrike

Kina i ka ofruar ndihmë Venezuelës për të rikthyer energjinë elektrike, pasi presidenti i kontestuar Nicolas Maduro ka akuzuar presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump për “ndërhyrje” kibernetike”.

Maduro, që ka përkrahjen e ushtrisë dhe institucioneve tjera shtetërore, bashkë me Rusinë dhe Kinën, ka fajësuar Uashingtonin për trazirat ekonomike në shtetin e tij dhe e ka quajtur liderin opozitar, Juan Guaido, kukull të Shteteve të Bashkuara.

Teksa ndërprerja e energjisë ka hyrë në ditën e gjashtë, spitalet janë përballur me probleme, ushqimet janë prishur dhe eksportet e naftës janë ndalur. Duke folur në Pekin, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze, Lu Kang ka thënë se Kina beson se energjia elektrike është ndalur për shkak të një sulmi kibernetik.

“Kina është thellësisht e shqetësuar për këtë”, ka thënë Lu Kang. “Kina shpreson se pala e Venezuelës mund të zbulojë arsyen e kësaj çështjeje sa më shpejt që është e mundur dhe të rikthejë furnizimin e rregullt me energji elektrike. Kina është e gatshme të ndihmojë në anën teknike, në mënyrë që të kthehet normaliteti”./real-news.tv/