Kina ndërton urën më të gjatë në botë

mfile_1380734_1_20180213162546.jpg

Presidenti kinez Xi Jinping ka hapur zyrtarisht urën më të gjatë në botë që lidh Hong Kongun, Makaon dhe Kinën kontinentale.

Ura më e gjatë në botë e cila lidh brigjet e detit u inagurua nëntë vjet pas fillimit të ndërtimit të saj, dhe do të jetë e hapur për përdorim prej ditës së mërkurë.

Duke përfshirë rrugët e saj hyrëse, ura përfshin 55 km dhe lidh Hong Kongun me Makaon dhe qytetin kinez të Zhuhait.

Ura ka kushtuar rreth 20 miliardë dollarë dhe ka hasur disa vonesa pasi ishte parashikuar të përfundonte në vitin 2016.

Ndërtimi është penguar për çështje sigurie – dhe burimet zyrtare thonë se të paktën 18 punëtorë kanë vdekur gjatë ndërtimit të urës.

Ditën e sotme, presidenti kinez, së bashku me udhëheqësit e Hong Kongut dhe Makaos, ndoqën ceremoninë e hapjes së urës që u zhvillua në Zhuhai.

Ura, e projektuar për t’i bërë ballë tërmeteve dhe tajfunëve, është ndërtuar duke përdorur 400,000 tonë çelik, të mjaftueshme për të ndërtuar 60 Kulla Eiffel.

Kjo urë është pjesë e planit të Kinës për të krijuar “Zonën e madhe të Gjireve”, duke përfshirë Hong Kongun, Makaon dhe nëntë qytete të tjera në Kinën jugore.

Në të kaluarën, udhëtimi midis Zhuhait dhe Hong Kongut do të zgjaste deri në katër orë – ura e re e ul këtë distancë deri në 30 minuta.

Ata që duan të kalojnë urën duhet të marrin leje të veçantë, dhe të gjitha automjetet do të paguajnë një taksë.

Megjithatë, ka pasur shumë kritika ndaj projektit ambicioz të Kinës.

Ura është quajtur “urë vdekjeje” nga disa media lokale, të cilat kanë deklaruar se disa punëtorë kanë gjetur vdekjen dhe qindra të tjerë janë plagosur gjatë ndërtimit.

Ka pasur shqetësime edhe për ndikimin në mjedis.

Grupet e mjedisit thonë se projekti mund të ketë shkaktuar dëm serioz për jetën detare në zonë, duke përfshirë edhe delfinin e bardhë kinez, i konsideruar si një specie e rrallë.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303