Shefi i NATO-s, Wolters: Ja pse zgjodhëm Kuçovën

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka pritur sot në Tiranë komandantin e forcave ajrore të NATO-s Gjeneral Wolters.

Vizita e tij përkon me 10-vjetorin e Shqipërisë në NATO dhe 70-vjetorin e krijimit të Aleancës.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Wolters sqaroi me detaje investimin e NATO-s për ta kthyer bazën ushtarake të Kuçovës në një bazë moderne ajrore përgjatë 5 viteve.

Ai po ashtu iu përgjigj interesimit të gazetarëve se pse ishtë zgjedhur pikërisht Kuçova për të vënë në jetë zbatimin e këtij projekti, kaq ambicioz, siç tha ai.

“Kuçova ka disa karakterisitka të veçanta. Është në një vendndodhje të mrekullueshme gjeografike që të lejon të bësh atë çfarë këmi menduar, përfshi këtu edhe klimën e mirë që ka”,- u shpreh ai.

Wolters tha ndër të tjera se ishte shumë i emocionuar që ndodhej në Shqipëri.

“Ju jeni një vend i mrekullueshëm. Në bazën ajrore të Kuçovës është bëri deri më tani një punë shumë e mirë, do vazhdojë investimi, do ketë edhe një ekip ajror që do t’i shtohet. Qëllimi ynë është vetëm të ecim përpara. Shqipëria ka dhënë kontributin e saj për NATO-n”.

Nga ana e saj, ministrja Xhaçka siguroi se Shqipëria është një vend i sigurt, ku Aleanca do të investojë kapacitetet e saj, çka rrit jo vetëm sigurinë kombëtare por edhe sigurinë në të gjithë Ballkanin.

“Brenda pak muajsh do jetë gati master-plani nga Agjencia e NATO-s për Prokurimet dhe Mbështetjen – NSPA. Master-plani i hap rrugë fillimit të punimeve në terren. Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë është një lajm i jashtëzakonshëm jo vetëm për ne, por edhe për gjithë rajonin, pë sigurinë e gjithë rajonit”,- sqaroi ajo.