Kombëtarja e mbyll me shkëlqim, fiton grupin dhe ngjitet në Ligën B

kombe3tarja.png

Shqipëria e mbylli me shkëlqim eliminatoret e edicionit të dytë të Nations League. Kuqezinjtë fituan 3-2 ndaj Bjellorusisë në “Air Albania”, duke u renditur përfundimisht të parët në Grupin 4 të Ligës C me 11 pikë (1 pikë më shumë se Bjellorusia), çka do të thotë se edicionin e ardhshëm Shqipëria do të luajë në Ligën B. Arrin objektivin e parë si trajner i kuqezinjve Edy Reja, me gjithë dyshimet që u shfaqën gjatë këtij rrugëtimi, sidomos pas asaj humbjeve befasuese me Lituaninë në Tiranë.

I kushtëzuar nga pezullimi i Abrashit dhe infektimi me koronavirus i Hysajt, Reja në rreshtimin 3-5-2 befasoi me Dokën dhe Memollën në krahët e mesfushës, ndërsa Laçi u preferua krah Memushajt dhe Gjasulës në qendër, me Uzunin në stol. Shqipëria e nisi ashtu siç duhej ndeshjen, me Cikalleshin që shkarkoi të majtën pas pasimit të Manajt, por mbi tra. Në të 14-tën kërkon të befasojë Manaj thuajse në vijë e 16 metrave, por topi përfundon jashtë, i devijuar nga Cikalleshi.

Aksion fantastik i kuqezinjve, pa u mbushur 20 minuta lojë, në krahun e majtë me Memushajn dhe Memollën që kombinuan në perfeksion mes tyre, me mesfushorin kavajas që kroson saktë për Cikalleshin, i cili bën detyrën me kokë, me topin që përfundon në rrjetë, 1-0.

Vijon momenti pozitiv i kuqezinjve dhe në minutën e 26-të Manaj fitoi nje 11-metërsh, pas ndërhyrjes së gabuar të portierit. Nga pika e bardhë nuk gabon Cikalleshi, që siglon të dytin personal në këtë sfidë, 2-0.

Gabim i pakuptueshëm i Ismajlit në të 35-tën në mbulimin një për një ndaj Skavysh, me sulmuesin bjellorus që e shmang kuqeziun me një lëvizje të zgjuar dhe përballë Berishës shënon pa vështirësi golin e 2-1. Një gol i dhuruar nga kuqezinjtë, në një moment kur duhej ruajtur qetësia. Gjithsesi Shqipëria e mbyll me një tjetër gol pjesën e parë (3-1), i shënuar në njëfarë mënyrë me dhunë nga Rey Manaj, pas krosimit të Laçit. Duhet pranuar që sulmuesi kuqezi pati fat, teksa këmbëngulja e Gjasulës ia nxori topin në pozicion ideal për të shënuar.

Asnjë ndryshim në skuadrën tonë me fillimin e pjesës së dytë, me kuqezinjtë që mendojnë më shumë për të administruar epërsinë, për të ardhur me pas te minuta e 65-të, me Balajn që merr vendin e Cikalleshit, ndërsa Selahi zëvendëson Memushajn. Në të 70-ën, Reja aktivizon edhe Uzunin në vend të Manajt, duke i dhënë më shumë freski sulmit.

I pafat Qazim Laçi në të 72-tën, gjuajtja e të cilit nga distanca shkoi ngjitur me shtyllën, ndërsa portieri Khatkevich i mohon golin Bekim Balajt në të 78-ën, pas një këndoreje të kuqezinjve.

Rihap ndeshjen Bjellorusia në minutën e 80-të, pas një pakujdesie në qendrën e mbrojtjes. Ebong u gjend papritur përballë Berishës, duke shënuar golin e dytë për miqtë.

Drithërima në portën e kuqezinjve në minutën e 84-t, fatmirësisht goditja me kokë e kundërshtarit shkon mbi tra. Shqipëria ia del mes stresit të mos pësojë një tjetër gol, duke festuar në fund ngjitjen në krye të grupit dhe katapultimin në Ligën B të Nations League.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303