Konferenca e Donatorëve për Shqipërinë/ KE jep 115 milionë euro

Konferenca e Donatorëve për mbështetjen e Shqipërisë në procesin e Rindërtimit pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, mblodhi në Bruksel pjesëmarrës të nivelit të lartë nga një numër shumë i madh vendesh.

Komisioni Evropian ka dhuruar 100 milionë euro në konferencën e sotme, ndërkohë që më herët gjatë ditëve të tragjedisë dhuroi një fond prej 15 milionë eurosh.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila mbajti fjalimin e parë në Konferencën e Donatorëve, e theksoi këtë fakt, duke falënderuar për pjesëmarrjen e madhe. “Ne kemi dëgjuar histori që të prekin zemrën nga kjo tragjedi. Kjo është një histori dhimbje dhe histori shërimi.  Kjo pjesëmarrje dëshmon se ne jemi në krahun tuaj. Solidariteti shpëtoi jetë njerëzish nga kjo tragjedi shqiptare. Nevojat e Shqipërisë janë të mëdha dhe urgjente. Sot ne jemi këtu të dëshmojmë dhe të marrim angazhimet tona për popullin shqiptarë. Ne bashkë duhet ta bëjmë Shqipërinë më të fortë. Do doja të ishit këtu, tha ajo, të shihni sa shumë jemi mbledhur”.

Në Konferencën e Donatorëve janë të pranishëm kryeministri kroat, kryeministrja serbe, presidenti i Malit të Zi, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, ministri i Jashtëm italian, ministri i Jashtëm grek, ministri i Jashtëm gjerman, ministri i Jashtëm francez edhe shumë ministra të vendeve të tjera.