fbpx

Konferenca e Tusk-Juncker për shtyrjen e Brexit: Ferri ka ende vende bosh

tusk-juncker.jpg

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, dhe presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker mbajtën një konferencë për shtyp pas diskutimeve për shtyrjen e Brexit në Bruksel.

Të dy krerët e BE-së dolën përpara medieve për t’i informuar mbi vendimin që kishin marrë udhëheqësit e 27 vendeve të tjera të bllokut mbi planin për të shtyrë procesin që rrjedh nga aktivizimi i nenit 50, përtej 29 marsit të përcaktuar me ligj.

Edhe pse konferenca vinte pas 8 orë diskutimesh, u shoqërua me nota humori nga të dy liderët e BE-së.

Çasti i parë që nxiti të qeshurat e të pranishmëve në sallë ishte lapsusi i presidentit Tusk në lidhje me datën e shtyrjes së Brexit sipas skenarit të dytë, i cili është ai nëse ligjvënësit e parlamentit britanik nuk e miratojnë marrëveshjen e shkëputjes së rakorduar mes May dhe BE-së, që do të hidhet në votim javën e ardhshme për të tretën herë.

“Në këtë skenar, BE-ja ka rënë dakord që të shtyjë Brexit deri më 20 prill…12 prill më falni”, shprehet Tusk.

I pyetur më tej për skenarin e parë, ai nëse ligjvënësit miratojnë pas 3 përpjekjesh paktin May-BE, se “sa e gjatë mund të ishte shtyrja afatgjatë” e Brexit nga një reporter, i cili u duk sikur bënte lojëra fjalësh, kjo situatë i la pa fjalë si Junckerin, ashtu dhe Tuskun.

Tusk iu drejtua Juncker me pyetjen ironike “a ke ndonjë ide?”. Ky i fundit ia ktheu përgjigjen Tuskut dhe reporterit sërish në mënyrë të papërcaktuar “deri në fund”, një shprehje që mund të interpretohet edhe si “gjithmonë ose pa fund”.

Por nuk mbaroi me kaq. Pyetja e fundi e konferencës ishte pyetja e një reportereje duke iu referuar një deklarate të ashpër më të hershme të Tuskut, që kishte të bënte me ferrin.

“Presidenti Tusk, keni thënë më parë se ka një vend të veçantë në ferr për ata që promovonin një Brexit pa marrëveshje. Mirë, por marrëveshja për shkëputjen është pjesë e një plani. Nëse ligjvënësit britanikë nuk votojnë në favor të saj javën e ardhshme, mendoni se ai vend special në ferr duhet zgjeruar, për të përfshirë më shumë ligjvënës britanikë?”, ishte pyetja e reporteres.

“Sipas Papës, ferri është ende bosh. Kjo nënkupton se ka shumë vende”, tha Tusk, duke shkaktuar të qeshura në sallë./real-news.tv/

 

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303