Konflikti me Metën, mazhoranca kërkon të ‘nxjerrë jashtë loje’ Presidentin

Mazhoranca ka dërguar dy propozime për ndryshime Kushtetuese në Kuvend lidhur me procedurën e betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese te Presidenti.

Këto ndryshime synojnë të krijojnë një mekanizëm i cili anashkalon betimin e gjyqtarëve të emëruar te Presidenti edhe nëse ky i fundit nuk i thërret për të bërë betimin.

Këto propozime të mazhorancës vijnë pas situatës së krijuar me Arta Vorpsin dhe Marsida Xhaferllarin.

Mazhoranca propozon që në nenin ekzistues në Kushtetutë për betimin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese të shtohet një pikë që lejon anëtarin të bëjë betimin me shkrim dhe t’ia dërgojë Presidentit, nëse ai nuk e thërret brenda 10 ditësh nga data e zgjedhjes për të bërë betimin në Presidencë.

Neni 1

Në nenin 8, paragrafi 1, shtohet fjalia e dytë me këtë përmbajtje:

“Presidenti i Republikës organizon ceremoninë e betimit jo më vonë se 10 ditë nga data e zgjedhjes, emërimit ose shpalljes të emëruar të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Nëse anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret për të bërë betimin, pas përfundimit të këtij afati, ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë Presidentit të Republikës, organit të emërtesës dhe Gjykatës Kushtetuese. Data e organizimit të ceremonisë së betimit ose data e dërgimit të betimit me shkrim, konsiderohet si dita e betimit dhe e fillimit të detyrës së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe përfshihet në dosjen e tij personale. Në rast se gjyqtari nuk pranon të bëjë betimin, mandati i tij përfundon”

Një procedurë e ngjashme është propozuar edhe për të shmangur bllokimet që mund të lindin nga emërimet e anëtarëve të Gjykatës së Lartë.

“2. Mandati i anëtarit të Gjykatës së Lartë që përzgjidhet mes juristëve të spikatur fillon në ditën e betimit. Këshilli i Lartë Gjyqësor organizon ceremoninë e betimit jo më vonë se 10 ditë nga data e emërimit ose e shpalljes i emëruar. Nëse anëtari i Gjykatës së Lartë nuk thirret për të bërë betimin, pas përfundimit të këtij afati, ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë të nënshkruar personalisht Këshillit të Lartë Gjyqësor. Data e organizimit të ceremonisë së betimit ose data e dërgimit të betimit me shkrim pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor konsiderohet si dita e betimit dhe e fillimit të detyrës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe përfshihet në dosjen e tij personale. Në rast se gjyqtari nuk pranon të bëjë betimin, mandati i tij përfundon.”