Kongresi amerikan kërkon informacione për Iranin

Liderët kryesorë në Kongresin amerikan do të japin informacione në lidhje me gjendjen në Lindje të Mesme, teksa ligjvënësit kërkojnë përgjigje nga Shtëpia e Bardhë rreth hapave që ka marrë presidenti amerikan, Donald Trump kundrejt Iranit.

Agjencia e lajmeve Associated Press ka njoftuar se liderët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit kanë kërkuar që të informohen nga administrata.

Një gjë e tillë është planifikuar të ndodhë në kohën e rritjes së tensioneve në Gjirin Persik, dhe një vargu kërcënimesh të paspecifikuara që administrata e Trump beson se janë të lidhura me Iranin.

Shtetet e Bashkuara kanë urdhëruar të mërkurën gjithë stafin jo të domosdoshëm që të largohet nga Iraku. Ditë më parë, Shtetet e Bashkuara kanë pozicionuar një aeroplanmbajtëse dhe disa pajisje tjera në këtë rajon.

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë shprehur shqetësimet e tyre për këtë gjendje në një takim me dyer të mbyllura të mërkurën dhe kanë kërkuar më shumë përgjigje./real-news.tv/