Konjufca takohet me Walker: Ai ishte zëri kumbues i të vërtetës për Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ish-shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin amerikan William Walker, i cili po qëndron në vendin tonë, në vizitën e tij të përvitshme, në kujtim të masakrës së Reçakut.

Walker e uroi kryetarin Konjufca për zgjedhjen e tij në krye të Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke i uruar suksese në këtë detyrë të rëndësishme.

Kryeparlamentari dhe ish-ambasadori Walker diskutuan edhe për zhvillimet politike në Kosovë, proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë dhe sfidat që atë e presin në të ardhmen

Konjufca falënderoi ish-shefin e OSBE-së në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, për angazhimin e tij të vazhdueshëm në mbështetje të Kosovës edhe ecjes së saj në rrugën e zhvillimit të përgjithshëm.

Konjufca vlerësoi se ambasadori Walker, ashtu siç ishte dikur zëri kumbues i të vërtetës për Kosovën, sot vazhdon të jetë përfaqësuesi kryesor i zërave për vënien në vend të drejtësisë për masakrën e Reçakut dhe masakrat e shumta të kryera nga shteti serb.

. ​