Kontroll i fortë ndaj kripës në doganë, Manastirliu: Ja cili është synimi

mana.jpg

Për herë të parë është vendosur elementi i gjurmueshmërisë së kripës në të gjitha etapat e prodhimit, shpërndarjes, deri në mbërritjen te konsumatori, për të patur konsum 100% të kripës së jodizuar.

Me anë të saj synohet ulja e pamjaftueshmërisë jodike në popullatën shqiptare, si një nga shkaktarët kryesorë të sëmundjeve si struma dhe prapambetja mendore.

Do të ketë  kontroll të rreptë në dogana, pika prodhimi dhe shitje nëpërmjet gjurmueshmërisë së kripës deri në mbërritjen tek konsumatori.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka shpjeguar në Komisionin e Shëndetësisë se me ndryshimet e reja ligjore do të shtohen kërkesat për gjurmueshmërinë e kripës për konsum human, shtazor dhe përdorim në industrinë ushqimore.

“Për herë të parë futet në ligj koncepti i gjurmueshmërisë së kripës i cili u kërkon subjekteve tregtuese të ruajnë informacion për të gjitha fazat e prodhimit, përpunimit, jodizimit dhe shpërndarjes së kripës”, ka shpjeguar Manastirliu.

Duke theksuar se aktualisht 75 % e kripës së jodizuar prodhohet në vend, Manastirliu tha se është më e lehtë për institucionet monitoruese dhe inspektuese që të ushtrojnë një numër më të lartë kontrollesh dhe në këtë mënyrë kemi më shumë garanci që kripa që hidhet në treg është e jodizuar sipas standardeve.

scroll to top