Kontrolli i rrugëve/ Avokat Ngjela, apel SPAK-ut: Ta marrin vesh të gjithë shqiptarët që…

Avokati Spartak Ngjela thotë se mekineria e teknologjisë së lartë e testimit rezultativ, me anë të rrezeve lazer, filloi punën për kontrollin e investimit të rrugëve. Sipas tij, në këtë proces duhet të marrë pjesë patjetër edhe SPAK.

Ngjela shprehet se pas këtij investigimi, shqiptarët do të kuptojnë se, si dhe sa është vjedhur shteti i tyre, domethënë, paratë e taksapaguesëve shqiptarë.

Postimi i plotë

Filloi edhe në Shqipëri kontrolli i investimit të rrugëve.

Televizioni Ora News ka dhënë lajmin e kontrollit, me rreze lazer, të investimit nëpër rrugët e sakatuara nga vjedhja e madhe e politikës së lartë dhe mafies së ndërtimit.

l

Këto ditë, mafia e ndërtimit filloi të kontrollohet për cilësinë e rrugëve me aparat lazer të teknologjisë së lartë.

Në këtë proces duhet të marrë pjesë patjetër edhe SPAK.

Mekineria e teknologjisë së lartë e testimit rezultativ, me anë të rrezeve lazer, filloi punën për kontrollin e investimit të rrugëve.

Ky do të jetë suksesi i parë kundër mafies së ndërtimit, po dhe kundër korrupsionit kryeministror shqiptar.

Pas këtij investigimi, shqiptarët do të kuptojnë se, si dhe sa është vjedhur shteti i tyre, domethënë, paratë e taksapaguesëve shqiptarë. Ata do të shohin sesi është shpërdoruar me abuzimin korruptiv në ndërtimin e rrugëve, të paktën, njëzet përqindëshi i TVSH-së, që ata paguajnë për çdo blerje, e ditë për ditë.

ll.

Mafia e ndërtimit, në bashkëpunim me korrupsionin shtetëror: të dy këta segmente kriminalë, vetëm kështu mund të shkatërrohen nëpërmjet SPAK- ut i cili sapo u formua.

Ky investim kontrollues, që po lind si proces në Shqipëri, duhet me patjetër të merret në dorë edhe nga SPAK-u, sepse ky do të jetë hetimi më i suksesshëm në luftën kundër korrupsionit të lartë në Shqipëri.

Korrupsioni shtetëror shqiptar, shumicën e aktivitetit të vet kriminal, e ka bërë me anë të mafies së ndërtimit.

Kontrolli i sofistikuar teknologjikisht, i sapofilluar, i cili po iu bëhet rrugëve për të konstatuar vjedhjen gjigande mafie-qeveri, do të jetë procesi më efikas në luftën kundër korrupsionit shqiptar, dhe sigurisht edhe nën drejtimin e SPAK-ut.