Koreja e Veriut ka vjedhur 2 miliardë dollarë nga sulmet kibernetike

Koreja e Veriut ka vjedhur 2 miliardë dollarë nga sulmet kibernetike për të financuar programin e saj bërthamor, është thënë në një raport të Kombeve të Bashkuara.

Në raportin konfidencial që tashmë po qarkullon në media është thënë se Phenjani ka shënjestruar banka dhe shkëmbime me kripto-valuta për të siguruar të holla.

Disa burime kanë konfirmuar për BBC-në, se Kombet e Bashkuara janë duke hetuar 35 sulme kibernetike.

Koreja Veriore ka testuar dy raketa ditën e martë, apo katër në total në më pak se 2 javë.

Në një deklaratë të publikuar të mërkurën, lideri koreano-verior, Kim Jong-un, ka thënë se testimet kanë qenë paralajmërim ndaj stërvitjeve të përbashkëta ushtarake mes forcave të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut.

Në raportin që tashmë po qarkullon, dhe i është dërguar Komitetit të Këshillit të Sigurimit për sanksione të Koresë së Veriut, është thënë se Pheniani “ka përdorur hapësirën kibernetike për të nisur sulme të sofistikuara, në mënyrë që të sigurojë fonde nga institucione financiare dhe shkëmbime me kripto-valuta për të siguruar të ardhura”.

Në raport po ashtu përmendet se Koreja e Veriut ka shkelur sanksionet e OKB-së, përmes transfereve me anije, si dhe ka siguruar pajisje për armë të shkatërrimit masiv.

Nga viti 2006, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka vendosur sanksione ndaj Koresë Veriore që ndalojnë eksportin e thëngjillit, hekurit, tekstilit dhe prodhime të detit.